Migjeni dhe na "t'Birtë e shekullit të ri"...


Gazeta Metropol - 30/01/2005  Në rast se Migjeni do të jetonte në shekullin e XXI...?
Do të rishkruante "Na t'birtë e shekullit të ri" pa më të voglin hezitim.
Po "Poemën e mjerimit"...? Natyrisht edhe atë. Po..., po..., po...?
Përgjigjja është një dhe e vetme: të gjitha!
Nuk ka kaluar as një shekull, po ajo çka krijuar Migjeni të duket sikur sapo është shkruar, se diku e gjen në të përditshmet letrare.
Pasi Kolën e sheh kudo..., edhe Lulin e vocërr, vetëm se ky i fundit, tashmë nuk ecën në shi për të shkuar në shkollë, por për të shkuar te semafori dhe për të thënë "bukën e përditshme falna Zot".

Në librin më të ri kushtuar krijimtarisë letrare të Migjenit, shkruar nga Prof. Dr. Koço Bihiku dhe botuar nën kujdesin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, midis të tjerash thuhet: "Te Migjeni zien revolta jo kundër mjerimit si mjerim, por kundër mjerimit si shfaqje e pabarazisë shoqërore".
Kanë kaluar kaq vite që atëherë dhe duket se shqiptarët ende nuk e kanë gjetur barazinë e duhur. Përditë dhe kudo, mund të ndeshesh, të përballesh dhe të flasësh me të gjitha personazhet e krijuesit të madh (ndoshta të gjithë ne jemi nga pak personazhe të tij). Si është e mundur do të pyeste dikush. Por ja që është e vërtetë. Shumë gjëra, për shumë njerëz, vazhdojnë të jenë "mollë të ndalueme" dhe jo në kuptimin metaforik, por në atë real. Qytetet janë rritur. Nuk ka shtëpi përdhese, por ka rokaqiej. Ka ende rrugë të përbaltura si edhe Lula të vocërr, që nuk "duan" të shkojnë në shkolla, pasi kanë zgjedhur profesionin më të "bukur", atë të lypësit. "Qeshu rini qeshu, bota është e jotja...". A thua të jetë e vërtetë? Rinia jonë sot po i "qeshet" vetëm emigrimit, si shpresa e vetme e saj. Sot rinia braktis shkollat dhe gjen "shpëtim" te droga. Por, Migjeni nuk e sheh dot këtë realitet (sa me fat!).
"Migjeni bëri objekt të pasqyrimit artistik në veprat e veta njeriun e varfër, i cili trapitëte gjithë ditën për të gjetur një copë punë, malësorët e gjorë, të cilët zvarriteshin në jetë, gratë fatkeqe, të cilat për të nxjerrë bukën e gojës nxirrnin në treg nderin, njerëzit e pambrojtur, që shtrinin dorën për lëmoshë, fëmijët e varfër, të cilët mjerimi i thyente lehtë. Ai tregoi se vuajtjet materiale dhe morale, brengat e parrëfyera, degradimi i njerëzve të varfër, përftoheshin jo nga marrëdhëniet e jetës së tyre private dhe vetjake, por nga shkaqe të thella, që lidheshin me shtypjen shoqërore, nga marrëdhëniet e mbrapshta që sundonin në Shqipërinë e asaj kohe...", shkruan autori i këtij studimi, Prof. Bihiku. Ajo çka të vjen ndër mend të krahasosh është "Shqipëria e asaj kohe" dhe Shqipëria e kësaj kohe! A thua vallë mjerimi të ketë ndryshuar pamje, sikundër shtëpitë përdhese, që u shndërruan në rokaqiej. Sigurisht. Në kohën e Migjenit, dikush pyeste "a do qymyr, zotni?", sot pyesin "a do cd, zotni?, a do karta Vodofane apo AMC, zotni? "Historia e njanës nga ato...", sot mund të thuhet "Historia e shumë nga ato", "Një refren i qytetit tem", pse jo, mund të ruajë të njëjtin titull. "Mollë e ndalueme", i duhet një ndryshim i vogël në numër, "Mollë të ndalueme"... "Sokrat i vuejtem apo derr i kënaqun", mund të bënim të njëjtin ndryshim, atë në numër, "Sokrat i vujtëm apo derra të kënaqun...". Dhe në rast se poeti e prozatori i madh do të ishte në jetë, do të donte të kishte përsëri një "grusht të fuqishëm, e t'i binte "malit që s'ba za", që "na të bijtë e shekullit të ri" të mos shohim vetëm përsiatjet e mjerimit, por edhe Migjenë të shek. të XXI. Leonard Olli

Commenti

Post popolari in questo blog

Krijimtaria Letrare e Migjenit

Vilson Kilica, 1932